Demiri: Gjithçka po shtrenjtohet, Qeveria të zvogëlojë tatimet dhe akcizat

Të nderuar përfaqësues të mediumeve,

 

Maqedonia e Veriut është duke hyrë në një krizë të thellë ekonomike, krizë kjo që për fat të keq i ka ra në hise ta menaxhojë kësaj qeverie e cila nuk ka kapacitet dhe potencial të reagojë në kohë për të gjetur zgjidhjet adekuate dhe kjo edhe më shumë rëndon situatën e përgjithshme që mund të ketë pasoja jashtëzakonisht të mëdha në mirëqenien e qytetarëve të këtij vendi.

Kriza filloj me shtrenjtimin e energjisë elektrike, vazhdoj me shtrenjtimin e çmimeve të produkteve bazë që përbëjnë shportën konsumuese të një familje dhe tash për në fund edhe shtrenjtimi i naftës dhe benzinës, gjë që mund të sjellë edhe në kolaps të plotë ekonomik.

Maqedonia e Veriut me rrogën mesatare që është paraqitur në Entin Statistikor është ndër vendet me të ardhura për një familje që janë më të vogla se kostoja e shportës shpenzuese me nevojat bazë për mbajtjen e një familjeje.

 

Çmimi energjisë elektrike u rrit zyrtarisht me 15%, çmimi i dizelit, benzinës dhe gazit tejkalon 30% ndërsa të ardhurat në një familje nuk kanë shënuar rritje as për së afërmi me shtrenjtimit që drejtpërdrejt goditi xhepin e qytetarëve.

Duke i pasur parasysh gjitha këto fakte, kërkojmë urgjentisht nga Qeveria dhe institucionet kompetente që të përgatisin pako ekonomike ku do ndihmojnë drejtpërdrejt qytetarët e vendit për të zbutur krizën por njëkohësisht do ndihmojnë edhe bizneset sidomos ato të cilët merren me prodhimtari.

 

Lëvizja BESA përmes analizave të gjithë parametrave ekonomike i propozon Qeverisë që urgjentisht të shpërndajë vauçerë për çdo familje në vlerë që të ardhurat për një familje të jenë së paku në çmimin e shportës konsumuese.

Po ashtu, propozojmë që urgjentisht të sillet vendim për heqjen e akcizave dhe tatimeve tjera plotësuese që janë në fuqi për importin e derivateve të naftës dhe me këtë të lirohet presioni edhe ndaj qytetarëve por edhe ndaj bizneseve. Në kohë të krizave ekonomike çdo shtet bën lehtësim në politikat tatimore, prandaj edhe Qeveria duhet të sillet me përgjegjësi të lartë ndaj këtyre proceseve.

 

Për në fund, edhe njëherë potencojmë qëndrimin tonë se kjo qeveri po dëshmohet për çdo ditë se nuk ka as dije dhe as ide për të nxjerrë vendin nga kriza e madhe që është duke kapluar për çdo ditë, prandaj një ditë e më parë kjo qeveri duhet të largohet dhe të hapë rrugë për zgjedhje të reja parlamentare të cilat do sjellin një shumicë të re të përgjegjshme dhe të përgatitur për t’u ballafaquar me sfidat e vështira që e presin shtetin në periudhën e ardhshme, disa nga këto sfida të ndikuara edhe nga situatat gjeo-politike në Evropë por më shumë nga pa aftësia e shumicës LSDM-BDI për të menaxhuar me Qeverinë dhe institucionet përbërëse të shtetit.

Lëvizja BESA – Abdush Demiri

09.03.2022

Media