Lëvizja BESA: Bujar Osmani pranoi se për Sërbinë prioritet ka Rusia dhe jo Ballkani i Hapur

Në intervistën e fundit të ministrit për punë të jashtme Bujar Osmani ai mes tjerave pranoi se në rast se realizohej vizita e Lavrovit në Beograd do ishte vendosur në pikëpyetje mbajtja e takimit të “Open Balkan” në Ohër. Me ose pa vetëdije Osmani pranoi se kur është në pyetje Rusia, Vuçiç dhe politika sërbe nuk kanë prioritet nismat regjionale.

Shtrohet pyetja se çka bën një shtet i NATO-s si Maqedonia e Veriut në një iniciativë, ku lider kryesor shfaqet Serbia e cila është ndër shtetet e pakta që i ka lënë të hapur dyert për Rusinë kur e gjithë bota po dënon agresionin rus në Ukrainë. Kjo është edhe një dëshmi se “Ballkani i Hapur” pa Kosovën të njohur nga Serbia si shtet i pavarur dhe sovran nuk ka asnjë kuptim si organizim regjional.

 

Lëvizja BESA riafirmon edhe njëherë qendrimin se çdo iniciativë rreth ndonjë organizimi unifikues të rajonit duhet të ketë nismëtarë Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Kosovën si shtete të cilat përveç unifikimit ekonomik kanë orientim të qartë pro-perëndimor, gjë e cila fatkeqësisht i mungon Sërbisë e cila edhe me tej vazhdon raportet vëllazërore me Rusinë edhe pse gjithë bota ka dënuar agresionin e tyre ndaj Ukrainës.

 

Lëvizja BESA

07.06.2022

Media